Demokratët Europianë kanë reaguar sërish lidhur me protestat studentore në Tiranë, duke thënë se aktet e izoluara të dhunës nuk mund të kriminalizojnë një lëvizje të tërë.
Në një postim në rrjetet sociale, Demokratët Europianë vendosin theksin te liria e tubimit, si një e drejtë themelore dhe jo si privilegj i dhënë nga qeveria.
Organizata paralajmëron gjithashtu kundër përdorimit të masave ndëshkuese për të frikësuar protestuesit paqësorë dhe për t’i detyruar ata të heshtin.
“Në #Shqipëri, gjobat e para prej 5,000 lekësh po u mbërrijnë qytetarëve që dolën në rrugë për të kërkuar ndryshim. Ndërkohë, qeveria e Ramës ka miratuar shpërblime në vlerën e rreth 270,000 lekëve për secilin nga mijëra punonjës policie të angazhuar gjatë protestave.
Ne e kemi dënuar dhunën ndaj njerëzve dhe institucioneve që nga dita e parë. Por, aktet e izoluara të dhunës nuk duhet të shërbejnë kurrë si pretekst për të kriminalizuar një lëvizje të tërë proteste, apo për të frikësuar protestuesit paqësorë deri në heshtje. Liria e tubimit është një e drejtë themelore, jo një privilegj që jepet nga qeveria. E ardhmja e Shqipërisë duhet të jetë demokratike, e lirë dhe evropiane”, thuhet ne reagim.







