Një 34-vjeçar, i dyshuar për përfshirje në disa raste vjedhjesh në Tiranë dhe Vlorë, është vënë në pranga nga Policia.
I arrestuari është identifikuar si Ivi Profka, banues në Vlorë, ndaj të cilit ishte lëshuar urdhër kërkimi për disa vepra penale të vjedhjes.
Sipas informacioneve, ai dyshohet se më 24 tetor ka vjedhur një motor në Rrugën e Dibrës, në Tiranë. Ndërkohë, 34-vjeçari rezultonte gjithashtu i kërkuar nga disa komisariate të kryeqytetit.
Komisariati Nr. 2 e kërkonte për dy vjedhje të tjera, konkretisht atë të një tabakinoje, më 30 tetor, dhe të një marketi, më 5 tetor. Po ashtu, ndaj tij kishte një tjetër kërkesë nga Komisariati Nr. 1, për vjedhjen e një marketi.
Ndërsa në Vlorë, Profka dyshohej edhe për vjedhjen e një motori.
Policia vijon procedurat për dokumentimin e plotë të rasteve për të cilat ai akuzohet.








