Dy të rinj, 20 vjeç, banues në Bulqizë, janë arrestuar nga Policia në kuadër të operacionit të koduar “Long Wait”, të zhvilluar nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me strukturat e DVP Gjirokastër dhe Komisariatin e Policisë Tepelenë.
Të arrestuarit, me inicialet L. A. dhe L. B., u kapën në flagrancë në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, në zonën e njohur si “Uji i Ftohtë”, teksa transportonin me një automjet tip “Volkswagen” katër emigrantë që kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri nga kufiri me Greqinë.
Sipas Policisë, dy të rinjtë po kryenin transportimin e emigrantëve kundrejt pagesës, ndërsa nuk iu bindën as urdhrit të efektivëve për të ndaluar automjetin.
Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan në cilësinë e provës materiale automjetin dhe dy telefona celularë.
Materialet për rastin i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”.








