Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh, në kuadër të operacionit policor të koduar “Periudha”, është bërë e mundur zbardhja e katër rasteve të vjedhjes në biznese të ndryshme në zonën e Shkëmbit të Kavajës.
Ngjarjet dyshohet se kanë ndodhur gjatë periudhës 17–21 tetor 2026, në katër biznese, ku autorët kanë marrë shuma të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë.
Në kuadër të operacionit, është ndaluar njëri prej autorëve të dyshuar, shtetasi Demir Buthi, 31 vjeç, banues në Hajdaraj, Kavajë, ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi A. S., 31 vjeç, banues në Kavajë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se dy shtetasit kanë vepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke kryer vjedhje në markete dhe lokale të zonës.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rasteve dhe zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.







