Episodet e ditës së parë të protestës, vetëm sa acaruan më tej protestuesit në ditën e dytë, e me radhë gjatë gjithë ditëve të protestës. Ata nisën marshimet përreth qendrës së Tiranës.
Një pjesë radikale e tyre, shfrynë dufin ndaj disa institucioneve njëri pas tjetrit.
Ndryshe nga dita e parë, policia u tregua e tërhequr dhe pasive ndaj turmës që dëmtuan semaforët, koshat, billbordet, kioskat, bizneset, apo vendqëndrimet e autobusëve. Edhe kjo strategji e uniformave blu, u kritikua ashpër pasi u konsiderua si një lëshim i qëllimshëm i situatës.
15 tetori ishte një tjetër pikë kulminante e protestës dhe panikut të dhunës së policisë ndaj protestuesve. Videot e Eva Pangos që shoqërohej në spital me barelë ishin për zemra të forta. Mes protestuesve kalonte fjalë më fjalë teoria më e keqe për fatin e të resë. Fatmirësisht, Eva po jep këtë dëshmi ekzkluzive për Inside Storyn pas daljes nga spitali.
“Unë nuk kam bërë kurrë as hedhje guri, as hedhje granatash. Nuk e kam për natyrë, unë në natyrë kam retorikën”, u shpreh Eva Pango.
“Mua më ka rënë granatë lotsjellëse cilindrike. Kjo ka qenë e zezë dhe cilindrike, jo ato klasike. Drejt e në ballin tim ishte goditja. Më pas humba ndjenjat, sheshi u la me gjak dhe nuk mbajt mend më gjë”, u shpreh Eva.
Ajo tregon se stafi mjekësor bëri maksimumin, por flet dhe për problematikat e bluzave të bardha me mangësitë që kishin.







