Avokati i Popullit, Endrit Shabani, dhe avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndrecaj, kanë mbërritur mbrëmjen e sotme në burgun e sigurisë së lartë në Fier, pas kërkesës së kryebashkiakut të Tiranës, i cili ka kundërshtuar transferimin nga burgu i Durrësit, duke e cilësuar atë të paligjshëm.
Avokati i Popullit është takuar me Veliajn dhe më pas është larguar nga ambientet e burgut.
Pas takimit, avokati Plarent Ndrecaj ka ngritur shqetësime për kushtet në të cilat mbahet klienti i tij dhe ka deklaruar se Veliaj është vendosur në një ambient izolimi së bashku me tre të dënuar të tjerë me burgim të përjetshëm.
“Zoti Veliaj ndodhet në një ambinet me tre vrasës serialë të dënuar me birgim të përjetshëm”, tha Ndreca. Ndrecaj e ka cilësuar transferimin nga Durrësi në Fier si të paligjshëm, duke pretenduar se deri në momentin kur foli për mediat, nuk i ishte vënë në dispozicion asnjë akt i shkruar që të argumentonte arsyet e këtij vendimi.
Avokati ka pretenduar gjithashtu se ambienti ku mbahet Veliaj është i papërshtatshëm dhe se klientit të tij nuk i është mundësuar një kontroll mjekësor, pavarësisht problemeve me këmbën, të cilat, sipas tij, zgjasin prej më shumë se tri javësh.







