Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka reaguar pas përshkallëzimit të protestës studentore në kryeqytet, duke shprehur shqetësim për dhunën e regjistruar gjatë tubimit dhe duke kërkuar hetimin me përparësi të pretendimeve për përdorim të tepruar të forcës nga policia.
Në reagimin e tij, Delegacioni i BE-së thekson se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera evropiane që duhet të respektohen.
Sipas tij, protestat duhet të zhvillohen në mënyrë paqësore, ndërsa ndërhyrjet e policisë duhet të jenë proporcionale dhe në përputhje me të drejtat themelore.
“Ne shprehim shqetësim në lidhje me përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore. Ne jemi në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve. Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi. Inkurajojmë të gjitha palët të ulin tensionet. Dialogu konstruktiv ndërmjet të gjithë aktorëve të përfshirë është e vetmja rrugë përpara”, shprehet Delegacioni i BE-së në Tiranë.








