Një 19-vjeçar turk, i dyshuar për plagosjen me armë zjarri të një 36-vjeçari në një lokal në zonën e Saukut, në Tiranë, është arrestuar në Greqi. I riu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje.
Ngjarja për të cilën ai kërkohej ndodhi më 9 mars të këtij viti, ndërsa arrestimi u krye gjatë një kontrolli policor në aksin rrugor Kalamata-Pylos, ku 19-vjeçari udhëtonte së bashku me dy shtetas të tjerë turq, të moshës 21 dhe 22 vjeç.
Si ndodhi plagosja në Sauk
Sipas burimeve, 19-vjeçari dyshohet se është personi që qëlloi me armë zjarri ndaj shtetasit turk Halil Uçar, 36 vjeç, në një lokal në zonën e Saukut, në Tiranë.
Në momentin e ngjarjes, dy personat ndodheshin në tavolina dhe kate të ndryshme të lokalit. Pasi kishte darkuar në katin e parë, i riu është ngjitur në katin e dytë, ku dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të Uçarit, duke e plagosur me një plumb në shpatull.
Pas të shtënave, autori i dyshuar është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
U arrestua gjatë një kontrolli në Greqi
19-vjeçari u arrestua së bashku me dy shtetasit e tjerë turq gjatë një kontrolli policor në aksin rrugor Kalamata-Pylos.
Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin, policia greke gjeti dhe sekuestroi 14.7 gramë marijuanë, si dhe një sasi të vogël kokaine, të cilat dyshohet se mbaheshin nga të tre personat.
Gjithashtu, 19-vjeçari dhe 22-vjeçari paraqitën dokumente me autenticitet të dyshimtë. Dokumentet u sekuestruan, ndërsa verifikimet zbuluan se të dy qëndronin në mënyrë të paligjshme në territorin grek.
Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan edhe katër telefona celularë, si dhe karta identiteti dhe leje drejtimi të lëshuara nga autoritetet bullgare.
Në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana
Gjatë verifikimit të identitetit, autoritetet greke konstatuan se 19-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes një Njoftimi të Kuq të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të autoriteteve shqiptare.
I riu kërkohej për vepra penale që lidhen me tentativën e vrasjes dhe mbajtjen e përdorimin e paligjshëm të armëve të zjarrit.
Për rastin po vijojnë hetimet nga autoritetet greke, ndërsa pritet të ndiqen procedurat ligjore përkatëse lidhur me kërkimin ndërkombëtar të 19-vjeçarit.








