Një 32-vjeçar është arrestuar në Shijak, pasi në banesën e tij në fshatin Koxhas-Kodër, në Xhafzotaj, policia gjeti dy armë zjarri automatike, municion luftarak dhe 32 500 euro.
Operacioni policor i koduar “Baza” u zhvillua nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore se i riu mbante armë zjarri pa leje.
Pas vëzhgimit me dron, efektivët ndërhynë në banesën e 32-vjeçarit Arlind Isai, ku gjatë kontrollit sekuestruan dy armë zjarri automatike, dy krehra me nga 10 fishekë secili, si dhe shumën prej 32 500 eurosh.
Isai u arrestua në flagrancë, nën dyshimin për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.








