Këshilli i Sigurisë Kombëtare do të mblidhet sot në orën 08:30 në Pallatin e Brigadave, me thirrjen e Presidentit Bajram Begaj.
Mbledhja zhvillohet pak ditë pas arrestimit të ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, e cila po hetohet për dyshimet se ka ndihmuar me informacione të klasifikuara Ergys Agasin gjatë arratisjes së tij.
Në tryezën e thirrur nga Presidenti pritet të diskutohet situata e sigurisë kombëtare, por edhe masat për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe institucioneve të sigurisë.
Në mbledhje do të marrin pjesë drejtuesit e 13 institucioneve që përbëjnë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ndërsa pjesë e saj do të jetë edhe kryeministri Edi Rama. Ky i fundit u rikthye dje në Shqipëri pas vizitës në SHBA dhe reagoi për herë të parë për çështjen Hyseni.
Rama deklaroi se ish-drejtoresha e SHISH duhet të përballet vetë me drejtësinë për përgjegjësitë që i atribuohen, por e cilësoi masën e marrë ndaj saj si ekstreme. Sipas kryeministrit, çështja nuk mund të shihet vetëm si një hetim penal ndaj një individi, pasi prek drejtpërdrejt një prej institucioneve kryesore të sigurisë së vendit.
Në këtë kontekst, Rama kërkoi që Këshilli i Sigurisë Kombëtare të shqyrtojë se çfarë mekanizmash duhet të forcohen për të garantuar sigurinë e institucioneve dhe informacionit të klasifikuar edhe në rastet kur drejtuesit e tyre përballen me hetime penale.
Mbledhja e sotme pritet të jetë një nga diskutimet më të rëndësishme të Këshillit në lidhje me sigurinë e informacionit shtetëror dhe funksionimin e strukturave të sigurisë.








