Edi Rama ka deklaruar nga Nju Jorku se Shqipëria synon të përmbyllë negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian deri në vitin 2027 dhe do të bëhet pjesë e BE-së në vitin 2030.
Gjatë mesazhit të tij për “Momentin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2026”, Rama e paraqiti anëtarësimin në BE dhe përmbushjen e Agjendës 2030 si pjesë të të njëjtit proces transformimi.
“Përshëndetje nga Shqipëria për të gjithë ata që po i bashkohen këtij Momenti të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm nga e gjithë bota. Për Shqipërinë, Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm nuk janë një premtim i largët. Ato janë një plan i përditshëm pune dhe janë të pandashme nga rrugëtimi ynë drejt Bashkimit Europian. Përmbyllja e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027, anëtarësimi në BE deri në vitin 2030 dhe përmbushja e Agjendës 2030 nuk janë tri rrugë të ndryshme. Ato janë një rrugë e vetme transformimi.”- deklaroi Rama ndër të tjera.
Ai u zotua duke vendosur një afat të qartë për anëtarësimin, edhe pse Shqipëria vijon të përballet me një sërë problematikash të evidentuara edhe nga institucionet europiane.
Vetëm pak kohë më parë Komisioni Europian publikoi Raportin për Shqipërinë, ku evidentohej si problem pavarësia e gjyqësorit, ndërhyrjet apo presioni politik mbi sistemin e drejtësisë si dhe lufta kundër korrupsionit.







