Prokuroria e posaçme SPAK, ka vendosur të nisë verifikimet lidhur me deklaratat e forta të bëra nga ish-zv/kryeministri i Shqipërisë Arben Ahmetaj, gjatë një interviste televizive të publikuar në emisionin e “Syri Tv”, “Çim Peka Live”.
Byroja Kombëtare e Hetimit tashmë ka administruar përmes “Youtube” emisionin e plotë. Por paralelisht me këtë veprim, drejtuesi i SPAK Klodian Braho ka firmosur një dokument, duke kërkuar nga televizioni “Syri Tv” që ti verë në dispozicion të gjithë materialin e emisionit përfshirë këtu dhe përgjimet bruto të transmetuara në publik.
Këto veprime tregojnë një lëvizje verifikuese të SPAK dhe vijnë vetëm dy ditë pas transmentimit të intervistës me ish-zv/kryeministrin e Shqipërisë, Arben Ahmetaj, i cili prej disa kohësh qëndron në shtetin Zviceran në ekzil.
Ish-zëvendëskryeministri i Shqipërisë ka bërë disa denoncime të forta edhe më parë për gazetarin Peka, por deri më tani, ai që cilësohet si kreu i organizatës nga Ahmetaj, kryeministri Edi Rama, nuk është prekur nga organi i akuzës.
Në intervistën e tij nga Zvicra për gazetarin Çim Peka, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka publikuar audiopërgjime që, sipas tij, zbulojnë një skemë të dyshuar të abuzimit me fondet publike, grabitjes së aseteve shtetërore dhe trafikut ndërkombëtar të armëve.







