Drejtori i Policisë së Mirditës, Ermal Muça, ka dhënë detaje të reja për atentatin e ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Ndërfushaz, ku mbeti i vrarë 65-vjeçari Viktor Marku.
Muça konfirmoi se deri tani është shoqëruar një person, ndërsa grupi hetimor ka edhe një pistë konkrete hetimi. Megjithatë, ai nuk dha detaje mbi pistën, duke argumentuar se informacioni nuk mund të bëhet publik në këtë fazë të hetimeve.
“Rreth orës 8:55 jemi njoftuar në sallën operative jemi njoftuar për një ngjarje të rëndë të ndodhur në Ndërfushaz. Dhe kemi ndërtuar grupin hetimor, kemi ardhur në vendngjarje dhe nga veprimet e para hetimore ka rezultuar që një shtetas është vrarë në automjetin e tij. Është shtetasi Viktor Marku, datëlindja 1961 dhe ndërkohë jeni edhe vetë prezentë, po bëhen dhe të gjitha veprimet hetimore. Rreth 20 minuta pas ngjarjes në fshatin Rrejë, është djegur një automjet, ku është ngritur një grup hetimor i dyte dhe po sqaron rrethanat e rastit. Po fiksohen të gjitha provat, po pyetën të gjithë dëshmitarët dhe do kemi një njoftim të dytë sapo të kemi diçka të re në lidhje më ngjarjen. Kemi një të shoqëruar dhe pistë hetimi kemi, por nuk mund ta ndajmë në këtë moment me mediat. Në makinën e djegur nuk janë gjetur armë”, u shpreh Muça.








