Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) ka shprehur shqetësim të thellë për incidentet ndaj gazetarëve gjatë protestave të fundit në Shqipëri, duke dënuar rastet e dhunës, intimidimit dhe pengimit të punës së përfaqësuesve të medias.
Sipas të dhënave të Shoqatës së Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), gjatë periudhës 15–18 tetor janë dokumentuar të paktën 25 raste sulmesh ndaj gazetarëve. Shumica e incidenteve të raportuara lidhen me veprime të efektivëve të Policisë së Shtetit, ndërsa në dy raste autorë të dyshuar kanë qenë protestuesit. Një tjetër incident përfshinte persona të maskuar dhe të paidentifikuar, të cilët penguan gazetarët në prani të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Përballë këtyre raportimeve, ECPMF i ka kërkuar kreut të Policisë së Shtetit të ndërmarrë masa konkrete për garantimin e sigurisë së gazetarëve dhe respektimin e të drejtës së tyre për të raportuar lirisht gjatë protestave.
Organizata europiane i ka bërë gjithashtu thirrje Skënder Hitës që të zhvillojë një dialog urgjent me Shoqatën e Gazetarëve të Shqipërisë dhe organizatat e tjera mediatike, me qëllim hartimin e protokolleve të qarta për mbrojtjen e gazetarëve gjatë demonstratave dhe aktiviteteve publike.
ECPMF thekson se çdo rast i dyshuar i abuzimit nga efektivët e policisë ndaj gazetarëve duhet të hetohet në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, ndërsa personat përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë.
Në deklaratën e saj, organizata nënvizon se garantimi i sigurisë së gazetarëve dhe mundësia për të ushtruar profesionin pa kërcënime, dhunë apo pengesa janë përgjegjësi e shtetit. Ajo rikujton se respektimi i lirisë së shtypit është veçanërisht i rëndësishëm gjatë protestave, kur puna e medias luan një rol thelbësor në informimin e publikut.







