Taxi Lux del në fokus pas një operacioni të Policisë Kufitare në Tiranë, ku u ndaluan dy taksi me 7 emigrantë nga Sudani, të cilët dyshohet se po transportoheshin drejt Koplikut me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit drejt vendeve të BE-së.
Policia arrestoi pronarin e një hoteli në Vaqarr, i dyshuar se kishte strehuar emigrantët dhe u kishte siguruar transportin përmes kompanisë Taxi Lux. Ndërkohë, një prej taksistëve është proceduar në gjendje të lirë për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.
Në njoftimin zyrtar të Policisë nuk përmendet emri “Taxi Lux” dhe nuk ngrihet asnjë akuzë ndaj kompanisë. Megjithatë, fakti që automjetet e përfshira lidhen me këtë kompani ngre pikëpyetjen: A kishte kompania dijeni për transportin e emigrantëve dhe destinacionin e tyre, apo taksitë janë përdorur pa dijeninë e saj?
Hetimet e Prokurorisë pritet të zbardhin rolin e taksistëve dhe nëse ka pasur apo jo përfshirje të kompanisë.






