Parlamenti Europian ka reaguar përmes një deklarate të përbashkët lidhur me zhvillimet e fundit në Shqipëri, duke shprehur shqetësim për përshkallëzimin e protestave në Tiranë, sulmet ndaj institucioneve dhe raportimet për përdorim të tepruar të forcës nga efektivët e policisë.
Kryetari i Delegacionit për Marrëdhëniet me Shqipërinë, Marco Tarquinio, dhe raportuesi i përhershëm për Shqipërinë, Andreas Schieder, u kanë bërë thirrje si protestuesve, ashtu edhe autoriteteve, të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin çdo veprim të dhunshëm. Ata theksojnë se përballja me tensionet duhet të bëhet përmes dialogut dhe jo përmes përshkallëzimit të situatës.
Në deklaratën e tyre, eurodeputetët nënvizojnë rëndësinë e garantimit të së drejtës për tubim paqësor dhe lirisë së shprehjes, duke kërkuar gjithashtu që institucionet përgjegjëse të hetojnë çdo rast dhune dhe të përcaktojnë përgjegjësitë individuale.
Sipas përfaqësuesve të Parlamentit Europian, respektimi i shtetit të së drejtës dhe i standardeve europiane mbetet një kusht thelbësor për avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ata bëjnë thirrje për një dialog të sinqertë dhe konstruktiv mes të gjitha palëve, me qëllim adresimin e pakënaqësive të protestuesve.
Komunikata: Deklaratë e përbashkët e Kryetarit të Delegacionit dhe Raportuesit të Përhershëm për Shqipërinë
Bruksel, 19 tetor 2026
Në emër të Delegacionit të Parlamentit Evropian për Marrëdhëniet me Shqipërinë dhe në cilësinë e Raportuesit të Përhershëm të Parlamentit Evropian për Shqipërinë, shprehim shqetësimin tonë të thellë për ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në vend, veçanërisht në Tiranë.
Dënojmë përshkallëzimin e dhunshëm të këtyre protestave, sulmet ndaj institucioneve publike dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. U bëjmë thirrje protestuesve të tregojnë përmbajtje maksimale dhe të përmbahen nga çdo akt dhune, pasi ato nuk kontribuojnë në gjetjen e një zgjidhjeje dhe nuk kanë vend në demokraci.
Shprehim gjithashtu shqetësim serioz për raportimet mbi përdorimin e tepruar të forcës policore ndaj protestuesve. U bëjmë thirrje autoriteteve të tregojnë vetëpërmbajtje. Gjithashtu, u bëjmë thirrje institucioneve përkatëse të bëjnë gjithçka që është e mundur për të përcaktuar përgjegjësinë individuale për çdo akt dhune, përfshirë rastet e përdorimit të tepruar të forcës.
Theksojmë se e drejta për lirinë e tubimit paqësor dhe të shprehjes mbrohet si nga Karta e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian, ashtu edhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Protestuesit, në këtë rast të rinjtë, kanë të drejtë të shprehin pikëpamjet e tyre, veçanërisht për çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e tyre. Për këtë arsye, u bëjmë thirrje autoriteteve të mbrojnë ushtrimin e së drejtës së lirisë së tubimit, përfshirë protestat paqësore.
Bëjmë thirrje për një dialog paqësor, konstruktiv dhe të sinqertë ndërmjet të gjithë aktorëve, me synimin për të gjetur një zgjidhje kuptimplotë për adresimin e çdo pakënaqësie të shprehur nga protestuesit, në përputhje me ligjet shqiptare dhe standardet evropiane. Respektimi i shtetit të së drejtës mbetet kriteri kryesor dhe kusht i detyrueshëm për përparimin e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Marco TARQUINIO, eurodeputet
Kryetar i Delegacionit për Marrëdhëniet me Shqipërinë
Andreas SCHIEDER, eurodeputet
Raportues i Përhershëm për Shqipërinë







