Alarmi për bombë ka vënë në lëvizje Policinë edhe në Lezhë, ku Gjykata është evakuuar pas një mesazhi kërcënues. Forcat e rendit kanë rrethuar godinën dhe kanë nisur kontrollet për të verifikuar nëse ekziston ndonjë rrezik real.
Pas marrjes së njoftimit, punonjësit e Gjykatës së Lezhës janë nxjerrë nga ambientet e institucionit, ndërsa shërbimet e Policisë kanë nisur kontrolle të imtësishme brenda dhe përreth godinës.
Për shkak të situatës së krijuar, aktiviteti gjyqësor është ndërprerë gjatë paradites së kësaj të enjteje. Seancat e planifikuara janë pezulluar përkohësisht, përfshirë edhe ato që lidhen me vlerësimin e masave të sigurimit.
Sipas raportimeve, alarmi në Lezhë është pjesë e një situate më të gjerë të krijuar pas mbërritjes së disa emaileve kërcënuese në adresat zyrtare të institucioneve të ndryshme në vend. Mesazhet pretendojnë se kanë lidhje me organizatën terroriste ISIS, por deri në këto momente nuk është konfirmuar autenticiteti i tyre dhe as burimi nga janë dërguar.
Autoritetet kanë marrë masa sigurie në institucionet e prekura, ndërsa kontrollet vijojnë për të përjashtuar çdo mundësi rreziku.
Hetimet pritet të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për një kërcënim konkret, një alarm të rremë apo një veprim të qëllimshëm për të shkaktuar panik dhe ndërprerje të aktivitetit institucional.







