“Na thavi krahin”. Këto kanë qenë fjalët e para të Lazër Bashit pasi arriti të shpëtojë nga atentati i përgjakshëm në Dukagjin, ku Prelë dhe Lekë Gjoni, babë e bir, u ekzekutuan me armë zjarri.
Bashi ndodhej në pjesën e pasme të automjetit bashkë me dy viktimat kur ndaj tyre u hap zjarr. Një breshëri prej më shumë se 50 plumbash, dyshohet të qëlluar me një kallashnikov dhe një MP5, përfshiu automjetin.
I plagosur në shpatull, Bashi u shtri në makinë dhe qëndroi i fshehur për disa minuta, derisa autorët u larguan. Automjeti kishte humbur kontrollin dhe ishte përmbysur në njërën anë.
Pasi u sigurua se rreziku kishte kaluar, ai doli nga makina dhe mori me vete telefonin. Por në zonën ku ndodhi atentati nuk kishte sinjal. I gjendur i plagosur dhe me humbje gjaku, Bashi nisi të ecte në terrenin e vështirë malor.
Për rreth 40 minuta, ai përshkoi afro dy kilometra në këmbë, derisa arriti pranë një lokali në zonën ku rruga e Pultit lidhet me atë të Shoshit.
Aty telefonoi një të afërm. Fjalët e para që tha ishin: “Na thavi krahin”.
Më pas ai tregoi se kishte qenë në automjet me Prelë dhe Lekë Gjonin dhe se të dy kishin mbetur të vrarë në vend.
Bashi pastroi plagën në një çezmë pranë lokalit dhe priti transportin për në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Për shkak të humbjes së konsiderueshme të gjakut, ai u dërgua më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë. Aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, autorët e atentatit vijojnë të mbeten të paidentifikuar. Policia dhe Prokuroria e Shkodrës kanë shoqëruar disa persona për t’i marrë në pyetje, por deri tani nuk ka një person konkret të identifikuar si autor.
Hetuesit po shqyrtojnë disa pista, mes tyre edhe një divorc të Lekë Gjonit rreth tre muaj më parë, si dhe një konflikt të ndodhur disa vite më parë. Familjarët, megjithatë, kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për konflikte të kohëve të fundit.
Prelë dhe Lekë Gjoni po ktheheshin nga banesa e tyre e vjetër në Dukagjin, ku mbanin edhe koshere bletësh, drejt Shkodrës, kur u zunë në pritë në rrugën e Xhanit.
Terreni i vështirë, mungesa e sinjalit telefonik dhe e kamerave të sigurisë në zonë po e bëjnë më të vështirë identifikimin e autorëve dhe rindërtimin e plotë të atentatit.







