Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka hapur një procedurë prokurimi me fond limit 4.95 milionë lekë, ose rreth 53 mijë euro, për hartimin e vetëm dy raporteve financiare. Bëhet fjalë për Raportin e Raportimit Financiar në datën 31 dhjetor 2025 dhe Raportin e Raportimit Financiar në datën 30 qershor 2026, të cilat kërkohet të përgatiten nga një subjekt i jashtëm, sipas kërkesave të Urdhrit nr. 94, datë 27.03.2018 të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë.

Procedura ngre një pyetje të thjeshtë, por thelbësore: a ka mbetur pa ekonomistë UKT-ja?
Shoqëria numëron të paktën 1,400 punonjës, sipas informacioneve të raportuara në ERRU, ku përveç inxhinierëve, teknikëve dhe faturistëve, ka edhe struktura financiare, kontabiliteti dhe planifikimi. Nëse një institucion i këtyre përmasave nuk është në gjendje të hartojë dy raporte financiare, atëherë lind natyrshëm pyetja se për çfarë paguhen specialistët e financës dhe ekonomistët që janë pjesë e administratës së tij.
Raportet që do të përgatiten nuk janë një auditim i plotë financiar, por një angazhim për procedura të dakorduara sipas standardit ndërkombëtar ISRS 4400. Megjithatë, ato përfshijnë një analizë të gjerë të veprimtarisë së UKT-së, duke filluar nga krahasimi i shpenzimeve faktike me buxhetin, verifikimi i ndryshimeve buxhetore, inventarizimi i aktiveve dhe analiza e detyrimeve të prapambetura, deri te kontrolli i tarifave për familjarët, bizneset dhe institucionet, analizimi i klientëve, prodhimit dhe humbjeve të ujit në rrjet, investimeve, faturimit të bizneseve, trajtimit të ankesave të konsumatorëve, verifikimit të matësve të burimeve dhe mekanizmave për furnizimin pa pagesë me ujë të familjeve në nevojë.
Pra, bëhet fjalë për një raportim të detajuar financiar dhe operacional, por gjithsesi mbi të dhëna që prodhohen dhe administrohen çdo ditë nga vetë UKT-ja. Pikërisht për këtë arsye, lind dilema nëse është e justifikuar që për përpunimin dhe sistemimin e këtij informacioni të paguhen edhe 53 mijë euro shtesë nga buxheti i institucionit.
Edhe më paradoksale bëhet situata kur kjo pagesë vjen në një kohë kur financat e vetë UKT-së nuk paraqiten aspak të shëndosha. Sipas pasqyrave financiare të vitit 2025, të konsultuara nga Ekofin.al, shoqëria rezulton me rreth 15.4 miliardë lekë detyrime, në formën e huave afatshkurtra, granteve dhe detyrimeve të tjera ndaj palëve të treta.

Në këto kushte, çdo shpenzim shtesë meriton një arsyetim të fortë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një funksion që teorikisht duhet të përmbushet nga vetë administrata e institucionit.
Në fund të fundit, këto janë para publike. Janë para që burojnë nga tarifat dhe taksat që paguajnë qytetarët e Tiranës. Të njëjtët qytetarë që prej vitesh dëgjojnë premtimin për furnizim me ujë 24 orë në ditë, një objektiv që vijon të mbetet larg realitetit.
Madje, edhe aty ku uji vjen në rubineta, pak kush guxon ta konsumojë si ujë të pijshëm. Shumica dërrmuese e familjeve të kryeqytetit vijojnë të blejnë prej vitesh ujë të ambalazhuar, duke paguar dy herë: një herë faturën e ujësjellësit dhe një herë faturën e ujit që konsumojnë.
Pikërisht për këtë arsye, shpenzime të tilla janë të tepërta dhe të panevojshme, për të mos thënë abuzive. Jo vetëm për shumën prej 53 mijë eurosh, por edhe për filozofinë e administrimit të parasë publike. Kur një institucion me mbi një mijë punonjës paguan kompani të jashtme për të hartuar raporte mbi të dhënat që vetë prodhon, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje: a është kjo një nevojë reale apo një tjetër shembull i delegimit të funksioneve që administrata duhet t’i kryejë me burimet e veta dhe që pastaj paguhen nga paratë e qytetarëve të Tiranës? /Ekofin.al







