Shqipëria do të ndërpresë importin e mishit nga Brazili duke nisur nga 3 shtatori, pas ndryshimeve të miratuara nga Bashkimi Europian për vendet e autorizuara për eksportin e produkteve me origjinë shtazore.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për rregullat e reja të BE-së dhe ka kërkuar marrjen e masave për zbatimin e tyre në pikat e inspektimit kufitar pas kësaj date.
Ndryshimi vjen pasi Bashkimi Europian ka rishikuar listën e vendeve të treta të autorizuara për eksport, në kuadër të kufizimeve për përdorimin e disa produkteve medicinale antimikrobike. Si pjesë e këtij vendimi, Brazili është hequr nga lista e vendeve të autorizuara për hyrjen në tregun europian të disa kafshëve dhe produkteve me origjinë shtazore të destinuara për konsum njerëzor.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë, ndryshimet europiane reflektohen drejtpërdrejt edhe në rregullat shqiptare të importit. Kjo pasi procedurat kombëtare e kushtëzojnë importin me miratimin nga BE-ja të zonave dhe stabilimenteve ku prodhohen këto produkte.







