Një aksident me pasojë plagosjen e një fëmije 10-vjeçar është regjistruar në rrugën “Llazi Miho” në Tiranë.
Sipas Policisë së Tiranës, 10-vjeçari u përplas fillimisht nga një motomjet që drejtohej nga një 27-vjeçar pa leje drejtimi. Pas goditjes së parë, fëmija dyshohet se është përplasur edhe nga një automjet i drejtuar nga një 47-vjeçar.
Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit u largua nga vendi i ngjarjes, por u identifikua dhe u gjet nga shërbimet e policisë. Ndaj tij nisi procedimi penal në gjendje të lirë për largim nga vendi i aksidentit.
Ndërkohë, 27-vjeçari që drejtonte motomjetin pa patentë u arrestua në flagrancë.
Fëmija u dërgua menjëherë në spital, ku po merr trajtim mjekësor.







