Gjatë një interviste për median britanike Channel 4 News, kryeministri Edi Rama mbrojti ndërhyrjet e kryera në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, duke deklaruar se përdorimi i buldozerëve kishte si qëllim lehtësimin e lëvizjes së komunitetit.
“Buldozerët janë përdorur për të hapur kalimin për njerëzit, për komunitetin, për të krijuar rrugë përmes pronës private, në mënyrë që njerëzit të mos pengoheshin të lëviznin,” tha Rama.
Por gazetarja britanike e vuri menjëherë në pikëpyetje këtë pretendim.
“Por njerëzit kalonin edhe më parë në rrugën me rërë. Ata u bllokuan vetëm pasi u vendos gardhi,” iu përgjigj ajo kryeministrit.
Verifikimi i Faktoje, bazuar në dëshmitë e banorëve, reagimin e organizatave mjedisore dhe dokumente zyrtare të administratës shtetërore, tregon se pretendimi i kryeministrit është i pavërtetë.
Banorët: Rruga ekzistonte
Për banorët e Zvërnecit, ndërhyrjet me buldozerë nuk kishin qëllim krijimin e një kalimi të ri për komunitetin, pasi rruga drejt bregdetit ka ekzistuar prej vitesh dhe është përdorur rregullisht, veçanërisht gjatë sezonit veror.
Kryetari i fshatit Zvërnec, Kostaq Konomi, në një reagim për Faktoje e cilëson deklaratën e kryeministrit si një përpjekje për të justifikuar ndërhyrjet në zonë.
“E dëgjova dhe për mua është gënjeshtra më e madhe që ka thënë. Gënjeshtër për të dalë nga situata. Rruga ka qenë, këta na vunë gardhin pa leje, të cilin ne e hoqëm me protesta. Dhe e panë shumë mirë të gjithë se si u hoq ai gardh”, thotë Konomi.
Sipas tij, shqetësimi i banorëve nuk lidhej me mungesën e një rruge apo pamundësinë për të lëvizur, por me kufizimin e aksesit pas vendosjes së gardhit. Në të njëjtën linjë shprehet edhe Nikolla Pulla, banor i Zvërnecit.
“Ajo rrugë ka qenë e kalueshme me makinë, pak e vështirë deri në grykën e dalanit të madh. Banorët kalonin, më tepër gjatë verës për të shkuar në plazh. Pra ka qenë e kalueshme edhe më parë, edhe pse me vështirësi. Gardhi e pengoi lëvizjen, madje ishte një nga arsyet kryesore pse banorët u indinjuan”, shprehet 31 vjeçari.

PPNEA
Edhe Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) kundërshton narrativën se ndërhyrjet kishin vetëm karakter funksional për aksesin. Sipas organizatës, gjatë punimeve janë dokumentuar ndërhyrje të shumta në zonën e mbrojtur Vjosë–Nartë.
“Makineri të rënda hynë në habitatet natyrore. U vendos një gardh, u hapën rrugë dhe sheshe ndërtimi, u hodhën materiale inerte dhe çakull, u ndërhy në sistemin e dunave dhe u ndërtua një urë, duke ndryshuar karakteristikat natyrore të zonës.”
PPNEA thekson se këto nuk janë interpretime, por fakte të dokumentuara në terren.
“Gardhi mund të jetë hequr pas reagimit publik, por dëmi ndaj natyrës nuk është zhdukur bashkë me të. Janë kryer ndërhyrje pa lejet e nevojshme në kundërshtim me legjislacionin dhe duhet të ketë përgjegjësi ligjore”

Gardhi dhe punimet
Pretendimet e banorëve dhe organizatave mjedisore mbështeten edhe nga një dokument zyrtar. Një raport monitorimi i datës 18 maj, i hartuar nga Administrata e Zonave të Mbrojtura në Vlorë dhe i siguruar nga Faktoje, konstaton se në zonën ku po zhvilloheshin punimet ishin evidentuar:
“Punime infrastrukturore paraprake, të lidhura me hapje dhe sistemim rrugësh, rrethim territori dhe ndërhyrje mbështetëse për akses.”

Raporti shoqërohet edhe me fotografi nga terreni, ku dokumentohen rrugët e hapura, gardhi i vendosur dhe ndërhyrjet e kryera në zonë.

Përfundim
Pretendimi i kryeministrit se buldozerët u përdorën për të krijuar kalim për banorët nuk mbështetet nga faktet e verifikuara. Dëshmitë e banorëve tregojnë se rruga ekzistonte dhe përdorej përpara nisjes së punimeve, ndërsa kufizimi i lëvizjes erdhi pas vendosjes së gardhit. Edhe gazetarja e Channel 4 News e ngriti këtë fakt gjatë intervistës.
Po ashtu, PPNEA dokumenton se ndërhyrjet nuk u kufizuan në hapjen e një kalimi, por përfshinë ndryshime të gjera në zonën e mbrojtur, ndërsa raporti zyrtar i Administratës së Zonave të Mbrojtura konfirmon se në terren ishin kryer punime për hapje rrugësh dhe rrethim territori me gardh. Në mungesë të provave që banorët ishin të penguar të lëviznin përpara ndërhyrjeve dhe përballë dëshmive të shumta se rruga ekzistonte e ishte e përdorshme, pretendimi se buldozerët u përdorën për t’u hapur rrugën komunitetit rezulton i pavërtetë.
/Esmeralda Topi – Faktoje







