Marjana Koçeku ka lëshuar kritika të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qasjes së Bashkimit Evropian ndaj Shqipërisë, në një intervistë për Euractiv, ku shprehet se Brukseli duhet të ndalojë së trajtuari Edi Ramën si të vetmin zë evropian të vendit.
“Rama nuk është Shqipëria”, thotë Koçeku për Euractiv.
Koçeku u largua nga Partia Socialiste muajin e kaluar, pasi arriti në përfundimin se nuk kishte më vend në të.
“Nuk mund t’i përkisja më një grupi që jo vetëm nuk e mbështet mjedisin, por harton politika që e dëmtojnë atë”, shprehet ajo. “Po, kam mbështetur edhe nismat e kolegëve nga opozita, sepse e konsideroj këtë si të drejtën time qytetare.”
Në rrugët e Shqipërisë, protestuesit kanë kaluar më shumë se një muaj duke kundërshtuar mënyrën se si qeveria ka trajtuar projektet e propozuara për zhvillimin e turizmit luksoz pranë ekosistemit të ligatinave Vjosa-Nartë – përfshirë projekte të lidhura me Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump.
Kur protestat mbërritën në Tiranë, ato tashmë kishin një emër. Njerëzit i quanin “Revolucioni i Flamingove”, sipas shpendëve që banojnë në atë ekosistem, shkruan Euractiv.
Gjuha e revolucionit nënkupton gjithashtu një ndryshim të papritur në mënyrën se si një brez e kupton pushtetin, përfaqësimin dhe të ardhmen evropiane të vendit. “Ne besojmë te vlerat evropiane. Por nuk mbështesim kryeministrin dhe qeverinë tonë.”
Për Koçekun, protestat nxjerrin në pah një krizë të kahershme legjitimiteti dhe një shoqëri të lodhur nga ndjesia se është lënë jashtë vendimmarrjes që bëhet në emrin e saj. Vendime që lidhen me leje jo transparente, interesa private dhe konsultime të kufizuara me publikun.
“Nuk ka më legjitimitet, as për qeverinë dhe as për opozitën tradicionale. Ata kanë treguar se punojnë vetëm për një grup të vogël interesash.”
Përplasja e narrativave
Nga ana tjetër, Koçeku kritikon reagimin e Ramës ndaj protestave, duke e akuzuar se po përpiqet t’i paraqesë ato si një kërcënim për procesin e integrimit evropian.
“Ai po përdor mediat për të krijuar bindjen se, nëse protestojmë, po dëmtojmë të gjithë procesin dhe besimin e Bashkimit Evropian”, përgjigjet Koçeku. Por, sipas saj, është e qartë se “politikanët tanë e kanë humbur plotësisht kontaktin me realitetin”.
Vetë kryeministri i ka paraqitur protestat si të ekzagjeruara nga kundërshtarët, influencerët dhe aktivistët online, duke i quajtur “histeri dixhitale” dhe “një revolucion imagjinar”.
Kur pyetet nëse protestat e kanë dëmtuar procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, Koçeku ndalet fillimisht te vetë mënyra se si është ngritur pyetja.
BE-ja e ka paraqitur shpesh zgjerimin si një proces të bazuar te reformat, stabiliteti dhe përparimi institucional. Qeveritë dorëzojnë raporte, ministrat takohen me komisionerët evropianë.
Megjithatë, kjo qasje rrezikon të ngatërrojë shtetin me shoqërinë dhe udhëheqësin me vendin. “BE-ja duhet të krijojë lidhje të drejtpërdrejta me qytetarët, pasi integrimi evropian nuk duhet të jetë vetëm një proces burokratik.”
Sipas saj, janë pikërisht qytetarët ata që e njohin vendin më mirë se kushdo në pushtet, sepse mund të tregojnë nëse reformat ndihen realisht në jetën e përditshme.
Një brez i ri në politikë
Koçeku formulon një kritikë të gjerë ndaj qeverisë, opozitës, mediave dhe kulturës politike që ka formësuar Shqipërinë pas komunizmit. Por historia e saj është edhe personale.
Ajo hyri në Parlament në moshë të re, duke fituar mandatin në vitin 2025, kur ishte vetëm 24 vjeçe. Nuk e kishte imagjinuar ndonjëherë një karrierë në politikë. Përpara se të bëhej deputete, ajo kishte themeluar një lëvizje për qëndrueshmërinë dhe komunitetin në veri të Shqipërisë, të quajtur Neomalsore.
Koçeku ka studiuar marrëdhënie ndërkombëtare dhe shkenca politike në Itali dhe, si shumë të rinj shqiptarë, shpresonte të gjente punë atje.
Por kur iu dha mundësia t’i bashkohej Partisë Socialiste të Ramës, ajo e pa këtë si një detyrim dhe një mundësi për të dhënë shembull.
Koçeku vjen nga një rajon që, sipas saj, historikisht ka qenë i nënpërfaqësuar, ku gratë dhe të rinjtë kanë pasur tradicionalisht pak mundësi. Nëse ajo ia dilte, besonte se edhe të tjerët mund ta bënin.
Megjithatë, pasi hyri në parti, ajo filloi të ndiente se politika e brendshme dhe mungesa e transparencës po krijonin probleme. Koçeku thotë se, në fund, mënyra se si funksionon partia është gjithashtu “një instrument që tregon se si formësohet shteti”.
Shkëputja e saj nga Partia Socialiste ndodhi gradualisht dhe më pas papritur, ndërsa protestat vazhdonin.
“Njerëzit do të qëndrojnë dhe nuk do të harrojnë”, thotë ajo, duke argumentuar se protestat duhet ta detyrojnë qeverinë të reflektojë thellë mbi “mënyrën se si miraton ligjet dhe për çfarë qëllimi hartohen ato”.
“Brezi i ri është shumë më i kulturuar politikisht dhe shumë më evropian sesa elita politike.” Dhe kjo, sipas Koçekut, është Shqipëria që Brukseli duhet të shohë.








