Në GJKKO është zhvilluar një seancë e tensionuar në themel ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi, ku debati mes ish-bashkëshortëve ka dominuar zhvillimet në sallë.
Gjatë seancës, Meta ka deklaruar se nuk ka dijeni për komunikime apo mesazhe të pretenduara që lidhen me persona të ndryshëm të përmendur në hetim, duke theksuar se përgjegjësia për veprimet bie mbi Kryemadhin.
“Nuk ekziston asnjëlloj ndikimi për Adrian Shatkun. As për askënd tjetër. Asnjë SMS për Monika Kryemadhin, Piro Xhixhon. Edhe një interes që mund të ishte i ligjshëm. As me Theodhori Çamin, që e ka mbiemrin Çami, po ka therur çamë. Kjo është histori UDB-je, edhe Adrian Shatku duhet të kishte ardhur këtu sapo dëgjoi emrin, se ka ngrënë bukë në shtëpinë time. Adrian Shatku u largua në 1989, e mori UDB-ja, pastaj iku në Amerikë. Kjo është histori UDB-je dhe agjenturash greke. Nuk kam asnjë dijeni për veprimet e Monika Kryemadhit, i di vetë ajo. Ato historitë e mesazheve i di zonja Kryemadhi”, u shpreh Meta.
Deklaratat e tij kanë sjellë reagimin e menjëhershëm të Kryemadhit, e cila e akuzoi Metën se po mbështetet në thashetheme.
“Boll se nuk është ashtu. Me llafet që të sjell Altin Dumani, thashetheme flet këtu. Mos u merr me llafe grash. Akoma merresh me thashethemet e Tedi Blushit?,” u shpreh ajo.
Përplasja mes palëve ka vijuar edhe më tej, me tone të ashpra dhe akuza personale, çka ka detyruar ndërhyrjen e trupit gjykues.
“Kam 4 vjet që e dëgjoj dhe e duroj. Edhe babai im të çohet nga varri, nuk e duroj dot më. Do të t’i lexoj dhe unë mesazhet ty, të marrësh vesh. Me llafet e këtij rrogëtari merresh ti?”, deklaroi Kryemadhi duke hedhur akuza ndaj Tedi Blushit.
Gjykata ka paralajmëruar se në rast të përsëritjes së sjelljeve të tilla, palët mund të përjashtohen nga salla dhe të ndëshkohen me gjobë.
“Paralajmërojmë të pandehurën Monika Kryemadhi, nëse e përsërisni, do largoheni nga seanca dhe do gjobiteni,” u tha në sallë.








