Deklaratat e ish-kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, për nevojën e një “vetëpastrimi” në Partinë Socialiste kanë sjellë reagime të forta nga brenda kampit socialist.
Kryetarja e PS-së së Shkodrës, Mirela Dodaj, ka reaguar publikisht ndaj thirrjes së Spiropalit drejtuar kryeministrit Edi Rama për të larguar nga partia figurat që ajo i cilësoi si “smerçi”, “ndryshku” dhe “pehlivanllëqe”.
Përmes një reagimi të drejtpërdrejtë, Dodaj i kujton Spiropalit se për vite me radhë ka qenë një nga figurat më të rëndësishme dhe më të privilegjuara të Partisë Socialiste, duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e kritikave të saj ndaj strukturave të partisë.
“Kur flet për meritokraci, demokraci dhe vetëpastrim, duket sikur po flet për një parti ku nuk ke qenë kurrë pjesë e vendimmarrjes. E vërteta është krejt ndryshe”, shprehet Dodaj.
Sipas saj, askush nuk mund të pozicionohet sot si gjykatës i proceseve të Partisë Socialiste, pasi ka qenë pjesë e pandarë e çdo vendimmarrjeje dhe përgjegjësie politike ndër vite.
Kryetarja e socialistëve të Shkodrës thekson se ka mbështetur qeverinë e Edi Ramës dhe reformat e ndërmarra prej saj, duke shtuar se është më e lehtë të kritikosh sesa të marrësh përgjegjësi.
Në reagimin e saj, Dodaj lëshon edhe mesazhin më të fortë ndaj ish-kryeparlamentares.
“Nëse vërtet duhet të nisë një proces vetëpastrimi në Partinë Socialiste, atëherë do të ishte e ndershme të fillonte nga ju, Elisa Spiropali. Sepse para se të kërkosh llogari nga të tjerët, duhet të japësh llogari për veten”, deklaron ajo.
Përplasja vjen në një moment kur kritikat e Spiropalit ndaj drejtimit të PS-së dhe kërkesat e saj për ndryshime të brendshme kanë nxitur debate të forta në radhët e socialistëve, duke ekspozuar ndarjet dhe tensionet që po shfaqen gjithnjë e më hapur brenda mazhorancës.








