Granit Pepnikaj, për të cilin Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në kuadër të dosjes së bujshme të call center-ave, dyshohet se ka zhvendosur aktivitetin e tij në Gjeorgji.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije për Maska.al se, pas intensifikimit të veprimeve hetimore në Shqipëri dhe bashkëpunimit me autoritetet austriake, ekzistojnë indicie se një pjesë e aktivitetit të lidhur me rrjetin e call center-ave është transferuar jashtë vendit, me Gjeorgjinë që përmendet si një nga destinacionet kryesore.
Zhvillimi vjen në një kohë kur autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë një seri operacionesh në lidhje me skemën e dyshuar të mashtrimit të qytetarëve europianë përmes platformave të investimeve online. Sipas dosjes hetimore, dëmi i shkaktuar nga aktiviteti i dyshuar kriminal llogaritet në mbi 50 milionë euro.
Burimet pohojnë se hetimi ka marrë hov pas identifikimit të disa rasteve të profilit të lartë në Austri. Sipas informacioneve që po verifikohen nga autoritetet, një prej viktimave të mashtrimit dyshohet të ketë lidhje me familjen mbretërore austriake. Pikërisht ky episod mendohet se ka tërhequr vëmendjen e strukturave ligjzbatuese dhe ka ndihmuar në thellimin e hetimeve ndërkombëtare.
Megjithatë, deri në këtë fazë nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet austriake apo shqiptare mbi identitetin e viktimës dhe as mbi ndikimin konkret që ky rast ka pasur në nisjen e procedurave hetimore.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka ushtruar kontrolle në disa ambiente që dyshohet se lidhen me Pepnikajn dhe bashkëpunëtorët e tij, ndërsa disa masa sigurie janë ekzekutuar në kuadër të operacionit.
Sipas hetuesve, rrjeti funksiononte përmes call center-ave të organizuar në mënyrë profesionale, ku operatorë të trajnuar komunikonin në gjuhë të huaja me qytetarë nga vende të ndryshme të Bashkimit Europian. Viktimat joshesin përmes platformave të rreme të investimeve, ku u premtoheshin fitime të larta financiare, ndërsa më pas humbnin kursimet e tyre.
Autoritetet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë vijojnë hetimet për identifikimin e personave të përfshirë, gjurmimin e rrjedhës së parave dhe lokalizimin e personave të shpallur në kërkim.
Nëse konfirmohet zyrtarisht zhvendosja e aktivitetit në Gjeorgji, hetimi pritet të marrë një dimension të ri ndërkombëtar, me përfshirjen e autoriteteve të shtetit ku dyshohet se po operon aktualisht rrjeti.







