Një dokument investigativ i zbardhur rishtazi zbulon detaje tronditëse nga bisedat e përgjuara të disa personave nën hetim, të cilët kanë negociuar dhënien e miliona eurove cash ndaj biznesmenit Samir Mane. Qëllimi i këtij transaksioni korruptiv ishte përfshirja e një prone në kompleksin luksoz “Green Coast” dhe nxjerrja e lejes së ndërtimit.
Në qendër të këtyre bisedave, të zhvilluara në shkurt të vitit 2021, janë personat nën hetim Alfredo Hamzai dhe Artur Koçeku, të cilët kanë përdorur si ndërmjetës shtetasin Ilir Shtufi (i thirrur në biseda si “Liri”) për të komunikuar me Samir Manen (i thirrur si “Zamiri”).
Kronologjia e Përgjimeve: Si u negociua rryshfeti
Sipas dokumentit zyrtar, bisedat e zbardhura ndiqen sipas kësaj kronologjie:
18 Shkurt 2021: Evidentohet komunikimi i parë ku flitet për mundësinë e dhënies së një shume prej 2 deri në 3 milionë euro shtetasit Samir Mane. Qëllimi ishte që ky i fundit të nxirrte lejen e ndërtimit për një projekt rezidencial në pronën e Alfredo Hamzait. Në këtë fazë, plani fillestar përfshinte ndërtimin e rreth 30 vilave dhe një hoteli. Ndërmjetësi i dyshuar ishte Ilir Shtufi.
24 Shkurt 2021: Personi nën hetim Artur Koçeku i shkruan Alfredo Hamzait dhe e njofton se “Liri (Ilir Shtufi) ka folur me Zamirin (Samir Mane)”. Sipas mesazhit, Mane i ka kërkuar 3 milionë euro që të përfshinte tokën e Hamzait në kompleks.
27 Shkurt 2021: Pala nën hetim pranon kushtet dhe zgjedh opsionin e dhënies së 3 milionë eurove me qëllim përfshirjen e tokës në kompleksin “Green Coast”.
1 milion euro cash “te shtëpia e Zamirit” dhe pakti për vilat
Përgjimet e datës 27 shkurt zbulojnë detaje edhe më konkrete mbi mënyrën se si do të bëheshin pagesat cash. Artur Koçeku shprehet tekstualisht në biseda:
“mund te na kerkoi 1 mil cash tjera shpia zamiri”.
Nga analiza e hetuesve, dyshohet se shuma e parë prej 1 milion eurosh tashmë i është dhënë biznesmenit.
Marrëveshja finale e zbardhur nga hetimet konsistonte në:
1. Samir Mane do të merrte pagesën totale prej 3 milionë eurosh.
2. Projekti u zgjerua nga 30 në 40 vila, nga të cilat 20% do t’i jepeshin personit nën hetim, Alfredo Hamzait.
3. Lidhur me hotelin, Koçeku sqaron se ka kërkuar një hotel me 120 dhoma, i cili do të mbetet në pronësi të tij dhe të Hamzait.
Ky dokument (shih image.png) nxit pikëpyetje të mëdha mbi ligjshmërinë e lejeve të ndërtimit në zonat bregdetare dhe përfshirjen e oligarkëve në marrëveshje të fshehta miliona eurosh cash me persona nën hetim./ Publik Media









