Duhet guxim i madh, gjithnjë nëse qëllimi është po aq i madh për të arritur majat në karrierë, por forma që zgjodhi në krijimin e një precedenti juridik të paprecedent, më shumë e largon sesa e afron në synimet e tij.
Në një vendim tej çdo procedure, gjyqtari i Gjykatës së Tiranës Flamur Kapllani, vendosi të mbajë anën e biznesmenit Dionis Teqja, i cili kishte kërkuar “sigurim padie” për të urdhëruar fshirjen e të gjithë shkrimeve dhe publikimeve digjitale mbi shpalljen e tij “në kërkim”, pasi nuk paraqitej në gjykatë për një çështje civile të padituar nga ortakët në biznese.
Deri në këtë pikë një e drejtë edhe pa të drejtë e biznesmenit që pretendon cënim imazhi, por në të drejtën e tij për të kërkuar gjithçka qoftë edhe jashtë logjikës proceduriale, “goglat e shortit” përcaktuan gjyqtarin Flamur Kapllani në shqyrtmin e padisë. Përfundimisht Kapllani vendosi të pranojë “sigurimin e padisë” duke dalë në përfundim se “lajmet ishin të rreme” dhe urdhëruar fshirjen në dhjetë media të çdo materiali të publikuar ndaj biznesmenit. Guximi duket se ka arsye për të.
Në korridoret e Gjykatës së Tiranës emri i Kapllanit po qarkullon si kryetar i ardhshëm. Po kush i ka premtuar këtë post kaq të rëndësishëm gjyqtarit që del në përfundime pa shqyrtuar një çështje në themel, duke shkelur procedurën? Padija mund të jetë njëra ana, po një person me “mugesë dije” a mund të jetë në krye të gjykatës me numrin më të madh të shqyrtimit të çështjeve në vend?
Dikush më i madh që herë bën Aliun, Kadiun, kapadaiun, politikanin apo edhe piktor e skulptor (kjo e fundit një shkallë më lart), mund të ofrojë diçka që e ka në duar, postin e kryetarit të Gjykatës së Tiranës, shkalla më e lartë në karrierën e deritanishme të gjyqtarit.
Një post fitohet me karrierë, shembuj se ke ditur ta bësh mirë punën, vizion dhe mbi të gjitha integritet. Pikëpyetja më e madhe nëse janë të “shkrira” të gjithë “vlerat” tek njeriu që ka mbushur gjykatën me theshetheme se do jetë kryegjyqtar dhe nga ana tjetër shfaqet modest mbetet ende në ajër, madje nuk mund të përcaktohet as me “sigurim padie”. Flamurtarëve të drejtësisë së re që median e shohin si “ishullin e fundit” për ta pushtuar dhe nënshtruar premtimi për poste ua err sytë ashtu si ngjyra e veladonit që mbajnë.Nga Boldnews.al








