Se çfarë po ndodh në Tiranë, është pak të quhet terror policor. Djem dhe vajza që janë rrahur barbarisht dhe dërguar në qeli pa asnjë provë të pjesëmarrjes së tyre në protesta të dhunshme. Një prej tyre është edhe ky 20-vjeçar, i cili ka ndarë me ne tmerrin që ka kaluar për tre ditë me radhë.
Ai tregon me detaje momentin e arrestimit nga forcat Shqiponja, të cilat, sipas të riut, e kanë dhunuar barbarisht, duke e goditur me shqelma e grushte në kokë, bark e këmbë. Ndërsa nuk ka munguar edhe përdorimi i shkopit të gomës ndaj një 20-vjeçari, i cili as nuk po bënte rezistencë.
Pra, 5 efektivë të maskuar e të armatosur zënë në një cep një të ri dhe e dhunojnë.
Nga sa thotë ky i ri, duket se kemi të bëjmë me një grup mercenarësh që dhunon barbarisht të rinjtë, të cilët i sheh si një thes boksi, për të shfryrë mllefin që pushteti ka ndaj atyre që guxojnë të ngrihen. E nëse mendoni se dhuna e efektivëve dhe fjalori i tyre prej rrugaçësh është gjithçka që ka ndodhur, e keni gabim, pasi tani do të dëgjoni diçka vërtet tronditëse…
Sipas këtij të riu, një nga efektivët e maskuar që ndodhej në furgonin e Policisë, gjatë shoqërimit, ka kapur një vajzë të arrestuar po ashtu nga qafa dhe e ka puthur në kokë.
Pra, kemi të bëjmë me punonjës policie, të cilët jo vetëm që rrahin protestuesit, por edhe ngacmojnë seksualisht një vajzë të re, të cilën e rrëmbyen forcërisht në rrugë, e ndanë nga partneri i saj dhe, të fshehur pas maskës, e prekin gjatë shoqërimit.
Nëse kjo që thotë i riu vërtetohet, jemi përballë një skandali që na kujton policinë sekrete të diktatorit Batista në Argjentinë.
Por, me sa duket, tmerri dhe dhuna nuk do të ndalonin aty. Sepse në komisariate, policët nuk kanë më frikën se dikush do t’i filmojë. 20-vjeçari tregon se dikë e kishin rrahur barbarisht në tualetin e Komisariatit Nr. 1, ndërsa një tjetër e kishin shurdhuar, për shkak se e kishin goditur me shpullë në vesh.
E përtej dajakut shtazarak, një tjetër problem i madh janë pasojat që vijnë pas ndalimit, pasi, sipas të riut, ndaj tyre janë ngritur një sërë akuzash që nesër mund t’ua shkatërrojnë të ardhmen.
Ndërkohë që institucionet dhe organizatat për të drejtat e njeriut, shto këtu edhe Avokatin e Popullit, heshtin, duke legjitimuar barbarinë e një policie politike./piranjat news







