Trembëdhjetë shqiptarë janë në gjyq në Antwerp për trafik kokaine. Ata e mbanin lëndën narkotike në apartamente të ndryshme me qira në Antwerp dhe Schoten. Droga fillimisht shtypej dhe më pas paketohej në bloqe. Zyra e Prokurorit Publik kërkoi dënime me burg nga tetëmbëdhjetë muaj deri në shtatë vjet dhe gjoba deri në 40,000 euro të enjten.
Mediat belge shkruajnë se hetimi nisi në fund të vitit 2023. Policia mori informacione se një apartament në rrugën Somersstraat në Antverpë shërbente si bazë operative e një grupi shqiptarësh që importonin kokainë përmes portit të Antverpës. Përmes vëzhgimeve, përgjimeve të drejtpërdrejta dhe analizës së telefonatave, u identifikuan anëtarët e grupit dhe aktivitetet e tyre.
Policia federale siguroi shumë informacione nga përgjimet e drejtpërdrejta në makina dhe në apartamentin në Somersstraat. Aty flitej për “pjekje sanduiçesh”, një kod për përpunimin e drogës. Blloqet e kokainës përziheshin me substanca të ndryshme, si prokaina. Kjo lëndë mpirëse ishte fillimisht e destinuar për anestezi lokale në stomatologji, por sot njihet kryesisht si substancë për hollimin e kokainës.
Gjatë bisedave të përgjuara, burrat ankoheshin edhe për rënien e fortë të çmimit të një kilogrami kokaine. Ata mezi arrinin ta shisnin drogën për 20.000 euro për kilogram. Një nga anëtarët e bandës kërkonte gjithashtu një banesë për “bebet” e tij ,gjuhë e koduar për bimë kanabisi.








