Zjarri i fuqishëm që përfshiu një pallat 12-katësh në rrugën e Dibrës, pranë zonës së njohur si “Farmacia 10”, në kompleksin “Arlis”, dyshohet se është shkaktuar nga pakujdesia e disa të miturve.
Sipas raportimeve në media, janë administruar dhe analizuar pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve përreth, të cilat hedhin dritë mbi momentet para shpërthimit të flakëve. Dyshohet se pesë fëmijë të mitur kanë qëndruar për disa minuta në pjesën e pasme të një marketi.
Më pas, dy prej tyre janë larguar duke mbajtur në duar një objekt të paqartë, që dyshohet të ketë qenë një copë letër. Sipas hetuesve, të miturit e kanë hedhur atë mbi disa kuti kartoni të vendosura jashtë marketit dhe janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Vetëm pak minuta më vonë, në të njëjtin vend shfaqet tym, i cili shumë shpejt përshkallëzohet në flakë të mëdha. Zjarri u përhap me shpejtësi në fasadën e pallatit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në kompleksin e banimit.
Në vijim të hetimeve, policia ka arrestuar katër persona, të dyshuar për veprat penale “shkatërrim i pronës nga pakujdesia” dhe “shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”. Ndërkohë, katër persona të tjerë janë proceduar penalisht dhe ndodhen nën hetim.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë për zjarrin që shkaktoi dëme të mëdha materiale në kompleksin “Arlis”.








