Dy restorante tradicionale, të pozicionuara pranë njëri-tjetrit në breg të lumit Shkumbin, në qytetin e Librazhdit, janë përfshirë nga flakët mbrëmjen e sotme.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri është përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar të dyja objektet, të njohura për aktivitetin e tyre në këtë zonë.
Pas njoftimit për ngjarjen, në vendin e incidentit kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat kanë nisur menjëherë punën për neutralizimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së tyre.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve, është arritur të shpëtohet njëri prej restoranteve, ndërsa përpjekjet vijojnë për të vënë nën kontroll zjarrin në objektin tjetër.
Deri më tani, nuk ka të dhëna zyrtare lidhur me shkakun e zjarrit, përmasat e dëmeve materiale apo praninë e personave të lënduar.
Pritet që në orët në vijim të bëhen të ditura më shumë detaje mbi rrethanat e ngjarjes dhe pasojat e saj.







