Vrasja e të riut Ramazan Mataj, 33 vjeç në Postribë të Shkodrës, ka rikthyer frikën e fenomenit të gjakmarrjes në këtë zonë. Familja Hasaj, dy djemtë e të cilës ndodhen në burg për këtë vrasje, prej ditës kur ndodhi krimi gjenden në ngujim.
Babai Rustem Hasaj, shprehu pendesën e thellë për ngjarjen ku janë përfshirë djemtë e tij. Ai rrëfeu se fëmijët e tij kishin qenë shokë klase me viktimën dhe se ngjarja e ka tronditur familjen e tij.
“Unë jam Rusem Hasaj nga fshati Dragoç. Babai i dy djemve që janë të arrestuar. Sot me këtë fatkeqësi që na kanë ndodhur dy palëve, unë e kam bërë dhe një deklaratë, kam kërkuar ndjesë fshatit, familjes, fisit. Sot kam nevojë për shtetin, kam nevojë për individin, se më ka lënë me 4 fëmijë, jam në gjendje ekonomike shumë të dobët. Prandaj ju falënderoj juve si gazetarë që keni ardhur. Nuk kam asnjë lloj dijenie, por e ka çuar Zoti të ndodhë, rreziku im dhe i tij. Kjo më ka rënë bombë në shtëpinë time. Ka ardhur e papritur. Jam vetë i shtati, kam një grua të sëmurë. Kam nusen e djalit, kam 4 fëmijët e djalit që i kam sot në mbijetesë se nuk jam i zoti as me i fitu bukën, as me i marr ilaçet, as me i çuar në shkollë, se nuk kam asnjë të ardhur, as asistencë, as ndihmë prej shtetit. Unë jam në ngujim, ka mbas dy ditëve që e kam marrë vesh nëpërmjet mediave, nëpërmjet shtetit. Unë jam i ngujuar. Jam në gjendje të mjeruar nga ana e ekonomisë. Kurrkujt mos i raft kjo punë”, tregoi ai.