Gjykata e Tiranës ka dënuar me burgim të përjetshëm Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, për përfshirjen në vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku, ngjarje që tronditi opinionin publik në prill të vitit 2017.
Vrasja ndodhi në rrugën e “Kosovarëve” në Tiranë, ndërsa hetimet çuan në identifikimin e Bledar Jambellit si porositës dhe financues të krimit. Ai u arrestua në Greqi në vitin 2018.
Ishte Mikel Shallari, autori i ekzekutimit, i cili u arrestua pak ditë pas ngjarjes dhe vendosi të bashkëpunojë me Prokurorinë duke zbuluar porositësit e vrasjes së ish-komisarit.
Në këmbim të dëshmisë që çoi në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve, Shallari përfitoi statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe u dënua me vetëm 10 vite burg.
Sipas dosjes hetimore, motivi i vrasjes së Cukut ishte një arrestim që ai kishte kryer në vitin 2012, kur në cilësinë e drejtuesit të Policisë së Vlorës, kishte ndaluar Bledar Jambellin si të dyshuar për vrasjen e shtetasit Armando Delaj.
Jambelli u lirua nga akuzat dy vite më pas dhe madje fitoi një dëmshpërblim prej mbi 500 mijë lekësh nga shteti për ditët e qëndrimit në paraburgim.