Një konflikt i dhunshëm ka ndodhur ditën e sotme jashtë shkollës “Sami Frashëri” në kryeqytet, ku disa nxënës janë përfshirë në një përplasje fizike pas mbarimit të mësimit. Sipas informacionëve të para, sherri mes të miturve ka shpërthyer në momentin që nxënësit kanë dalë nga shkolla, dhe ka përfshirë goditje me grushte dhe shkelma.
Pamjet e publikuara nga JOQ tregojnë momentet e tensionuara, ku fëmijët janë parë duke goditur njëri-tjetrin në mes të rrugës, ku kalojnë gjithashtu automjete. Konflikti ka shqetësuar qytetarët dhe ka ngritur shqetësime për sigurinë e fëmijëve, veçanërisht në zonat pranë shkollave.
Ky incident ka rikujtuar një ngjarje tragjike që ndodhi pak muaj më parë pranë shkollës “Fan Noli”, ku 14-vjeçari Mario Përlleshaj goditi për vdekje me thikë bashkëmoshatarin e tij, Martin Canin, duke sjellë pasoja fatale.