Një skenë e pazakontë ka shënuar protestën e banorëve të Poliçanit kundër reformës së re administrativo-territoriale, ku qytetarët kanë djegur publikisht teserat e Partisë Socialiste, duke shprehur revoltë ndaj qeverisë që prej vitesh kanë mbështetur me votë.
Në një qytet që për më shumë se tre dekada ka qenë një zonë me mbështetje të fortë për të majtën dhe ku drejtimi vendor ka mbetur për vite nën të njëjtën forcë politike, banorët dolën në shesh për të kundërshtuar vendimin për shkrirjen e Bashkisë së Poliçanit dhe bashkimin e saj me Bashkinë e Beratit.
Djegia e teserave të PS-së u kthye në simbolin e pakënaqësisë së qytetarëve, të cilët akuzojnë qeverinë se po i mohon qytetit të tyre të ardhmen.
Me pankarta në duar, banorët përcollën mesazhe të forta si: “Poliçani nuk preket”, “Mos na vrisni të ardhmen”, “Harram i paçi votat e Poliçanit” dhe “Deputetë dele, mos e votoni reformën”.
Gjatë protestës, kryetari i Partisë Socialiste në Poliçan, Erion Zylyftari, njoftoi publikisht dorëheqjen e tij nga posti, duke e cilësuar vendimin për prekjen e bashkisë si një padrejtësi dhe “një turp të madh ndaj qytetarëve”.
Banorët kanë firmosur gjithashtu një peticion ku kërkojnë që Poliçani të ruajë statusin e bashkisë më vete, duke paralajmëruar se çdo ndryshim i tillë do të ketë pasoja për zhvillimin e qytetit dhe brezat e ardhshëm.
Protesta e Poliçanit vjen si një sinjal i fortë pakënaqësie nga një zonë që historikisht ka qenë pranë së majtës, duke treguar se debati për reformën territoriale ka prekur edhe bazën tradicionale të Partisë Socialiste.







