Dy persona janë arrestuar nga Policia e Vlorës, pasi dyshohen si të përfshirë në vendosjen e lëndës plasëse në automjetin e administratorit të njësisë administrative Shushicë.
Në pranga kanë rënë Sh. M., 41 vjeç, dhe E. S., 43 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Sipas hetimeve paraprake, dy të arrestuarit dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kanë vendosur lëndë plasëse në automjetin e 29-vjeçarit I. B., banues në Shushicë, i cili ushtron detyrën e administratorit të kësaj njësie administrative.
Ngjarja ndodhi rreth orës 02:50 të 19 tetorit 2026, në fshatin Llakatund të Vlorës. Shpërthimi shkaktoi dëme materiale në automjet, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Ndërkohë, Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në këtë ngjarje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim.







