Franca është përfshirë këtë të shtunë nga një tjetër valë protestash për të pestën fundjavë radhazi, ndërsa mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë kundër rritjes së kostos së jetesës dhe një projektligji të ri që synon zgjerimin e kompetencave të policisë.
Në protesta janë bashkuar studentë, sindikata, aktivistë dhe përfaqësues të lëvizjes së Jelekëve të Verdhë.
Për mbarëvajtjen e protestave janë angazhuar rreth 70 mijë policë në të gjithë vendin. Po ashtu helikopterë dhe dronë po monitorojnë lëvizjet e protestuesve, ndërsa vetëm në kryeqytet llogariten të kenë dalë mbi 60 mijë pjesëmarrës.
Kësaj here, përveç pakënaqësisë për çmimet dhe kushtet në arsim, në qendër të protestave është edhe një projektligj që parashikon mbrojtje më të gjerë ligjore për policët që përdorin armët e zjarrit. Organizatat kundërshtare thonë se kjo mund të vështirësojë hetimin e rasteve të dhunës policore.
Ndërkohë, pakënaqësia ndaj qeverisë vijon të rritet pasi sindikatat e konsiderojnë të pamjaftueshme rritjen e pagës minimale.








