Policia Rrugore në Durrës ka shtuar kontrollet në të gjithë qarkun, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë në rrugë dhe parandalimin e aksidenteve.
Gjatë një jave monitorimi, 4 persona janë arrestuar, ndërsa 5 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, konkretisht për drejtim të parregullt të automjeteve.
Ndërkohë, uniformat blu kanë vendosur gjithsej 950 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Sipas të dhënave të policisë, 373 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për tejkalim të shpejtësisë së lejuar, 400 për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit, 87 për parkim të gabuar dhe 63 për mosvendosje të rripit të sigurimit.
Gjithashtu, janë vendosur 18 masa për parakalime të gabuara, 4 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 5 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit.
Policia njofton se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset rrugore të qarkut, urbane, interurbane dhe rurale, me fokus evidentimin e shkeljeve dhe parandalimin e aksidenteve.
Në të njëjtën kohë, u bëhet thirrje drejtuesve të automjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në rrugë.







