Trupi i publicistit dhe funksionarit të njohur Artan Lame pritet të mbërrijë të shtunën në Shqipëri, pasi ai ndërroi jetë pas një operacioni të vështirë në Gjermani. Zemra e tij pushoi së rrahuri këtë të premte, pas disa ditësh në koma cerebrale.
Lajmin e trishtë e konfirmuan bashkëshortja e tij, Mirela Lame, dhe nëna, Diana Lame, të cilat ndanë në rrjete sociale mesazhe të dhimbshme, që prekën zemrat e shumë shqiptarëve.
“Unë jam Tani dhe do jem përgjithmonë! Të dua përjetësisht, zemërbardhi im”, shkroi bashkëshortja e tij në një postim emocional në Facebook.
Edhe nëna e tij, e tronditur nga humbja, kujtoi bisedën e fundit me të birin: “Shpresoja sepse më premtoi që do kthehej. ‘Nuk e kam mendjen te e nesërmja (që do operohej), jam mirë, jam i qetë, por po përqendrohem te Muzeu.’ Edhe nga gjumi ta zgjoje për Muzeun fliste”, rrëfeu ajo.
Arkëmorti i Artan Lames është nisur sot nga Gjermania dhe do të vijë në Shqipëri në rrugë tokësore. Familja pritet të bëjë publike në vijim procedurat për homazhet dhe përcjelljen për në banesën e fundit.
Artan Lame ishte një nga figurat më të njohura publike të tranzicionit shqiptar. Ai drejtoi për disa vite Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale (ALUIZNI) dhe ka mbajtur disa poste shtetërore. Ishte një zë i njohur i Partisë Socialiste dhe veprimtar i angazhuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare. Publicist, opinionist dhe koleksionist i pasionuar, Lame do të mbahet mend për kontributin e tij të veçantë në jetën publike dhe kulturore të vendit.