Diskutimi i projektvendimeve për transferimin e përkohshëm me pëlqim të prokurorëve pranë Prokurorive të Tiranës dhe Elbasanit shkaktoi debat të martën në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Ndërsa shumica e anëtarëve qëndronte në këmbë, disa prej tyre ngritën tonet dhe flisnin pa radhë.
Anëtari Vatë Staka deklaroi se relacioni i dërguar nga Komisioni i Karrierës pranë KLP-së, nuk përputhet me ngarkesën që kanë prokurorët në republikën e Shqipërisë.
Aty ka abuzim të pastër tek statistikat. Ju keni marrë prokuror nga Dibra dhe e keni çuar në Elbasan, ndërsa atë nga Korça e keni çuar në Tiranë,” tha Staka dhe solli në vëmendje se në këtë mënyrë nuk ishte respektuar parimi i largësisë mes prokurorive. Sipas Stakës, nga ana tjetër, nuk është respektuar as kriteri që përcakton transferimin nga prokuroritë që kanë ngarkesë më të ulët, siç janë ato të Shkodrës, Lezhës dhe Fierit.
Anëtarët e Komisionit të Karrierës, Ledina Riza dhe Sokol Stojani kundërshtuan qëndrimin e Stakës, duke u shprehur se ishin vlerësuar me kujdes gjithë vakancat dhe po ashtu, evidentuar prokuroritë nga mund të merreshin prokurorët, sipas kërkesave të ligjit.








