Bilanci i viktimave nga shpërthimi i fuqishëm që tronditi Elbasanin mesditën e së mërkurës është rënduar më tej. Pas më shumë se 17 orësh kërkimesh intensive, ekipet e shpëtimit kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë të 69-vjeçarit Hamit Ibra, i cili kishte rezultuar i zhdukur që prej momentit të ngjarjes.
Me konfirmimin e vdekjes së tij, numri i viktimave nga kjo tragjedi ka shkuar në dy. Më herët, jetën e kishte humbur edhe 82-vjeçarja Hatixhe Berisha.
Pas shpërthimit, në vendngjarje u angazhuan menjëherë zjarrfikësit, Policia e Shtetit dhe strukturat e emergjencave civile, të cilat nisën operacionet e kërkim-shpëtimit. Për shkak të dëmeve të mëdha dhe rrezikut që paraqiste ndërtesa, në ndihmë të ekipeve lokale u angazhuan edhe Forcat e Armatosura.
Ndërkohë, disa banorë që kishin pësuar asfiksi të lehtë morën trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe më pas u larguan për t’u bashkuar me familjarët e tyre.
Sipas të dhënave të bëra publike nga shërbimet zjarrfikëse, 82-vjeçarja Hatixhe Berisha ndërroi jetë si pasojë e drejtpërdrejtë e shpërthimit dhe jo për shkak të zjarrit që pasoi ngjarjen.
Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme në apartamentin ku dyshohet se nisi ngjarja, ndërsa u prekën rëndë edhe muret, shkallët dhe pjesë të tjera të ndërtesës.
Në vijim, pritet që autoritetet të thellojnë hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e shpërthimit tragjik. Gjithashtu, do të kryhet një vlerësim i detajuar i gjendjes strukturore të pallatit për të përcaktuar nivelin e sigurisë së tij.







