Përplasja tragjike e dy trenave me shpejtësi të lartë në Spanjë, ku humbën jetën të paktën 68 persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, ka shkaktuar tronditje të thellë në vend. Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, ka shpallur tri ditë zie kombëtare, më 29, 30 dhe 31 tetor, ndërsa ka garantuar se hetimet do të vijojnë deri në zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.
Sánchez ka theksuar se çdo përgjegjësi e mundshme do të hetohet dhe se, nëse konstatohen neglizhenca apo mangësi në sistemin e sigurisë, institucionet do të reagojnë me vendosmëri.
Kreu i qeverisë spanjolle e cilësoi ndihmën ndaj viktimave dhe familjarëve të tyre si përparësinë kryesore në këtë moment të vështirë. Ai shprehu gjithashtu shqetësimin për faktin se Spanja përballet me dy aksidente hekurudhore që përfshijnë trena të shpejtësisë së lartë brenda një viti.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetin social X, kryeministri u shpreh i tronditur nga aksidenti i rëndë në Toledo, duke përcjellë solidaritetin dhe mbështetjen e tij për të gjithë të prekurit nga tragjedia.
Ai bëri të ditur se po mban kontakte të vazhdueshme me ministrin e Transportit dhe presidentin e rajonit Castilla-La Mancha. Ndërkohë, ekipet e emergjencës vijojnë ndërhyrjen në terren për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve dhe për të garantuar sigurinë e tyre, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.
Edhe mbreti Felipe VI ka reaguar pas ngjarjes tragjike, duke shprehur dhimbjen dhe shqetësimin për humbjen e jetëve njerëzore. Ai u ka përcjellë ngushëllimet familjeve të viktimave dhe ka shprehur mbështetjen për personat e plagosur.
Në shenjë respekti dhe solidariteti me të prekurit, monarku ka anuluar aktivitetet e parashikuara për ditët në vijim. Edhe disa parti politike kanë vendosur të anulojnë angazhimet e tyre publike, ndërsa autoritetet dhe ekipet e shpëtimit vijojnë punën për përballimin e pasojave të aksidentit dhe zbardhjen e rrethanave të tij.







