Në kuadër të hetimeve që lidhen me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, SPAK ka zgjeruar rrethin e personave nën hetim, duke marrë të pandehur edhe pesë sipërmarrës të njohur në fushën e ndërtimit.
Bëhet fjalë për Pandeli Carapulin, Arbër Abazin, Ram Gecin, Paqsor Buzin dhe Artan Sakon, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në procedura tenderimi të lidhura me kontrata publike.
Sipas të dhënave, Arbër Abazi dhe Artan Sako lidhen me procedurën e tenderimit për Lotin 7 të Unazës së Madhe të Tiranës, ndërsa Paqsor Buzi me tenderin për Lotin 5. Në anën tjetër, Ram Geci është përfshirë në hetimet që lidhen me ndërtimin e rrugës Porto Romano-Durrës, për Lotin 3.
Ndërsa Pandeli Carapuli është marrë i pandehur për veprën penale të pastrimit të parave, në lidhje me një vilë në kompleksin turistik “White Rocks”, në Dhërmi.
Në fokus të hetimeve të SPAK janë nëntë procedura tenderimi, ku po verifikohen dyshimet për manipulim të garave publike, korrupsion dhe pastrim parash.







