Studentja Iris Kola ka deklaruar se protesta e të rinjve kundër qeverisë do të vijojë, pavarësisht përplasjeve me policinë dhe përpjekjeve për të dobësuar lëvizjen. Në një intervistë për News24, ajo u shpreh se pjesëmarrësit kanë kapërcyer frikën dhe se nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.
Kola komentoi edhe takimin e kryeministrit Edi Rama me një grup studentësh, duke e cilësuar atë si një përpjekje të dështuar për të krijuar përçarje brenda protestës. Sipas saj, të rinjtë që morën pjesë në këtë takim nuk përfaqësonin zërin e protestuesve.
“Studentët që ishin atje janë fëmijë zyrtarësh, anëtarë të FRESSH-it. Njëri prej tyre madje mund të konsiderohet si vegël e rektorit”, deklaroi Kola.
Ajo kundërshtoi gjithashtu mundësinë e nisjes së një dialogu me qeverinë, duke iu referuar edhe përvojës së protestës studentore të vitit 2018. Sipas saj, studentët e asaj kohe u kanë përcjellë mesazhin se negociatat me qeverinë nuk duhet të pranohen.
“Nuk do të arrijnë ta fikin dot zjarrin që është ndezur. Ne e kemi mposhtur frikën, guximi është i tejskajshëm, sidomos kur jemi përballë policisë. Rama dështoi me sukses që të përçante protestën”, u shpreh ajo.
E pyetur për mundësinë e krijimit të një lëvizjeje të re politike nga studentët, Kola tha se kjo nuk është në planet e tyre në këtë fazë. Sipas saj, fokusi duhet të mbetet te protesta dhe vijimi i saj, ndërsa çdo diskutim për një angazhim të ri politik është i parakohshëm.








