Interesi i Superligës Europiane është që të afrojë në gjirin e vet klubet që kanë më shumë trofe, traditë dhe më shumë ndikim në vendet respektive.
Gazeta kontaktoi me drejtuesit e dy prej klubeve me më shumë trofe dhe popullaritet si Tirana dhe Partizani, por asnjëri prej tyre nuk ia kishte idenë dhe aq më pak, ndonjë kontakt me Superligën europiane.
“Nuk kam asnjë dijeni dhe asnjë ftesë për bashkëpunim nga Superliga”, deklaroi shkurtimisht për “Panorama Sport” presidenti i Tiranës, Refik Halili.
Ndërkaq, një reagim të ngjashëm pati edhe nga drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama. “Nuk kam asnjë informacion dhe aq më pak ftesë për bashkëpunim nga kjo strukturë. Nuk di absolutisht asgjë rreth kësaj”, deklaroi ai.
Ndërkaq, ka pak gjasa që Vllaznia të ketë interes rreth Superligës, jo vetëm për shkak të një raporti të ngushtë me FSHF-në (që është kundër), por edhe sepse Vllaznia është e anëtarësuar në ECA prej vitesh. ECA-ja (Shoqata Europiane e Akademive të Futbollit) është gjithashtu një strukturë pro UEFA-s dhe kundër Superligës së futbollit.