Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion ka vënë në sekustro pasuritë e Pëllumb Gjokës, i arrestuar për llogari të operacionit ‘Metamorfoza’.
SPAK vendosi në sekuestro preventive pasurinë e llojit Pyll, me sipërfaqe 215.030 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër.
Nga hetimet ka dyshime të bazuara në prova se pasuritë e përmendura, janë në pronësi të personave dhe shoqërive të mësipërme janë fituar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të kryer nga Gjoka, në bashkëpunim me persona të tjerë.
‘Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka në hetim procedimin penal nr. 9 të vitit 2023, regjistruar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ekspertimi i rremë”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 78, 319/ç, 319, 110, 248, 309, 278, 283/a, 333/a, 334, dhe 287 të Kodit Penal.
Në vijim të hetimeve me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.422 datë 23.10.2023 ka vendosur masën së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive”, bazuar në nenin 274 të K.Pr.Penale dhe 36 të Kodit Penal mbi 3 (tre) pasuritë të paluajtshme, me sipërfaqe totale 390 000 (treqind e nëntëdhjetë mijë) m2, si më poshtë:
• Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 113.500 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të një shoqërie tregëtare …….;
• Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 61.470 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të një shoqërie tjetër tregëtare ……..;
• Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 215.030 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të shtetasit K. Gj.
Nga hetimet e kryera ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se pasuritë e lartpërmendura, janë në pronësi të personave dhe shoqërive të mësipërme janë fituar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të kryer nga shtetasi P. Gj., në bashkëpunim me persona të tjerë.
Vendimi nr. 422, datë 23.10.2023 i Gjykatës Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është ekzekutuar nga Prokuroria e Posaçme në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Ndërkohë vazhdojnë hetimet në lidhje me evidentimin e plotë të fakteve penale dhe personave të përshirë në këtë aktivitet kriminal.’, njofton SPAK.
Biznesmeni Pëllumb Gjoka, njëri nga të arrestuarit nga operacioni i SPAK ‘Metamorfoza’, është zgjedhur nga kryeministri Rama si investitor strategjik.
Biznesmeni shkodran, i arrestuar me urdhër të SPAK në muajin korrik, rezulton të ketë fituar statusin e investitorit strategjik me firmën e kryeministrit Edi Rama.
Në korrik të vitit 2021, Komiteti i Investimeve Strategjike miratoi statusin e investitorit për projektin “Silver Sand Resort”, me subjekt aplikues “Imperial Group”.
Kompania përfituese zotërohet në 56 përqind nga Pëllumb Gjoka dhe pjesa tjetër nga familjarët e tij, Kolë dhe Alida Gjoka.