Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar seancën zyrtare stërvitore në stadiumin “Skonto” të Rigës pasditen e të hënës.
Kombëtarja do të luajë në mbrëmje, në orën 20:45 me orën lokale të Shqipërisë ndaj Letonisë sfidën e katërt të kualifikueseve të Botërorit 2026.
Duke parë mungesën e Gjimshitit dhe ngarkesën e Ajetit, i cili është i dëmtuar, logjika të çon që Kumbulla dhe Ismajli të jenë dyshja e qendrës së mbrojtjes. Kanë luajtur bashkë në Ligën e Kombeve. Majtas Mario Mitaj pritet ta nisë sërish nga fillimi, ndërsa në krahun e djathtë, mund të jetë radha e Balliut.
Një mesfushë e re me Asllanin dhe Shehun, duket se i ka fituar zemrën Silvinjos. I besoi kundër Serbisë dhe, nëse Shehu nuk ka ndonjë shqetësim, ai do të jetë sërish nga minuta e parë.
Duke vlerësuar gjendjen e Qazim Laçit, mund të jetë ose ai ose Nedim Bajrami në atë pozicion, duke qënë se duhet më shumë aftësi krijuese. Në krahun e djathtë mendohet Broja dhe përpara Manaj ose Daku. Në anën tjetër Hoxha ose Muçi, edhe pse ky i fundit nuk është preferuar nga Silvinjo për asnjë minutë në dy ndeshjet e fundit të Kombëtares.