Skënder Hita është zgjedhur mëngjesin e kësaj të hëne, drejtor i ri i Policisë së Shtetit.
Sipas njoftimit të ndarë për media, nga Ministria e Brendshme, Hita ka rezultuar ndër kandidatët më të vlerësuar nga procesi konkurrues.
“Sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave miratuam vendimin për dhënien e gradës Drejtues Madhor dhe emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z.Skënder Hita. Ky është një vendim i bazuar në meritë, profesionalizëm dhe integritet. Skënder Hita ka rezultuar ndër kandidatët më të vlerësuar nga një proces konkurrues, duke dëshmuar përvojë të spikatur, vizion të qartë strategjik dhe angazhim të palëkundur ndaj ligjit dhe qytetarëve”,- thuhet në njoftim.
Kujtojmë se gara për Postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit u hap më 1 mars, pas largimit të Ilir Prodës nga drejtimi i Policisë.
Pas filtrit të aplikimeve dhe verifikimeve ligjore, në Ministrinë e Brendshme u zhvillua “testi final” për 14 kandidatët e mbetur në garë. Dy aplikante gra u skualifikuan që në nisje, pasi ligji kërkon që kandidatët të jenë pjesë e strukturave të policisë. Ndërkohë kandidatët e tjerë në garë bashkë me Hitën ishin:
• Afrim Tafa
• Alfred Çepe
• Arjanit Arapi
• Elidon Çela
• Gentian Berberi
• Gentjan Shehaj
• Idajet Faskaj
• Lorenc Panganika
• Neritan Nallbati
• Pëllumb Seferi
• Rebani Jaupi
• Saimir Boshnjaku
• Tonin Vocaj
•








