Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka gjobitur kompaninë e ndërtimit “Agi Kons” me mbi 35 milionë lekë, pas konstatimit të një sërë shkeljesh në përpunimin dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Shkeljet e konstatuara
Sipas vendimit të Komisionerit, “Agi Kons” ka publikuar foto dhe video të individëve pa provuar më parë marrjen e pëlqimit të tyre, duke shkelur parimet bazë të ligjshmërisë në përpunimin e të dhënave personale.
Kontrolli evidentoi gjithashtu mungesën e një kontrate të rregullt me kompaninë përpunuese “InterMedia”, mungesën e dokumentimit të veprimtarive të përpunimit, masa të pamjaftueshme teknike dhe organizative për sigurinë e të dhënave, si dhe mungesën e auditimeve dhe procedurave të monitorimit.
Po ashtu, kompania nuk kishte hartuar plane për menaxhimin e riskut dhe rikuperimin e të dhënave, nuk kishte dokumentuar politika për vazhdimësinë e biznesit në rast incidentesh dhe nuk kishte njoftuar Komisionerin për nëpunësin përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave personale.
Mbi 35 milionë lekë gjoba
Komisioneri vendosi një gjobë prej 24 milionë lekësh për shkeljen e parimeve të përpunimit të të dhënave personale dhe mungesën e pëlqimit të subjekteve.
Një tjetër masë administrative prej 11.11 milionë lekësh u vendos për shkeljet që lidhen me dokumentimin e proceseve, sigurinë e të dhënave dhe marrëdhëniet me subjektet përpunuese.
Në total, gjoba ndaj kompanisë arrin në mbi 35 milionë lekë.
Shoqëria administrohet nga Alban Çinari, ndërsa pronar përfitues i saj rezulton biznesmeni Gentian Sula, i cili zotëron indirekt 100% të kapitalit të kompanisë përmes shoqërisë mëmë “UK Development Holding Limited”.

Fillimisht, shoqëria është themeluar me aksione të ndara mes Arben Biçokut dhe Gentian Sulës, me nga 50% secili.
Masat e detyruara nga Komisioneri
Përveç gjobës, “Agi Kons” është urdhëruar të sigurojë pëlqimin e personave për përdorimin dhe publikimin e të dhënave personale, të rishikojë kontratën me kompaninë “InterMedia”, të dokumentojë dhe zbatojë masat e sigurisë për mbrojtjen e të dhënave, si dhe të njoftojë zyrtarisht Komisionerin për nëpunësin e mbrojtjes së të dhënave personale.

Kompania në fokus edhe të SPAK
“Agi Kons” dhe pronari përfitues i saj, Gentian Sula, janë përfshirë gjithashtu në një hetim të Prokurorisë së Posaçme.
Në vitin 2025, SPAK kërkoi dokumentacion nga Bashkia e Tiranës për leje ndërtimi, kontrata prokurimi dhe koncesione të lidhura me kompaninë për periudhën 2015-2024.

Sipas raportimeve mediatike, hetimi lidhet me dyshime për korrupsion aktiv në kuadër të dosjes “Veliaj”, ndërsa janë kërkuar edhe ortofoto satelitore për zonat “Kodra e Diellit” në Tiranë dhe resortin “Marea” në Qerret, projekte të lidhura me aktivitetin e kompanisë.








